Në provincën Kayseri në Turqinë qendrore jeton një burrë 73-vjeçar, i cili, që prej kohës kur shokët e tij nisën të pijnë duhan, periudhë kur ata ishin nxënës në shkollë të mesme, ai vendosi që në vend të cigareve të blejë libra.

Ai është Yusuf Ozmerdivenli, sot drejtor i shkollës së mesme në Kayseri, dhe numri i librave të blerë në vend të cigareve e më pas bërë bibliotekë, është 10 mijë sosh.

Por jo të gjitha i ka mbajtur për vete. Ozmerdivenli thotë se një pjesë e fondit të librave të tij ia ka dhuruar bibliotekave, shkollave dhe universiteteve të ndryshme, në mënyrë që njerëzit e tjerë të përfitojnë prej tyre siç ka përfituar ai, por edhe për shkak të mungesës së hapësirës së mjaftueshme për koleksionin e tij të madh të librave.

Ozmerdivenli gjithashtu inkurajon nxënësit e tij që të qëndrojnë larg nga konsumi i duhanit dhe përpiqet që t’ua përcjellë pasionin e tyre për lexim. “Mospirja e duhanit më ka mundësuar që të fitoj këtë thesar prej 10.000 librash”, thotë ai, duke shtuar se paratë që ka investuar në blerjen e librave do të ishin zhdukur në tymin e cigareve sikur të mos kishte marrë këtë vendim të tij.

Për më tepër ai ka dhe një krenari fizike, si pasojë e moskonsumit të duhanit.

“Unë fare lehtë mund të garoj në vrapim me kolegë të tjerë të cilët janë 15-20 vjet më të rinj se unë, por që janë duhaniprës”, thotë Ozmerdivenli duke potencuar kështu edhe përfitimet shëndetësore.

Dhe, disa prej nxënësve të tij, të impresionuar nga vullneti i profesorit, vendosën që të ndjekin shembullin e tij. Gjatë kohës sa Ozmerdivenli ishte mësues, një nga nxënësit e tij gjatë çdo pushimi në mes të orëve dilte të pinte duhan. Ozmerdivenli kishte vendosur që t’ia rrëfejë atij historinë personale, dhe disa vjet më vonë ai mësoi se kjo histori e tij kishte ndryshuar jetën e nxënësit duhanpirës, i cili kishte vendosur që të jetojë një jetë të shëndetshme dhe të ndjekë shembullin e mësuesit të tij.

 “Pas disa viteve, ai erdhi tek unë dhe më përqafoi mua”, shpjegon drejtori. Ai më tha: “Në vitet e fundit kam ndjekur shembullin tuaj dhe deri tani kam blerë rreth 1.650 libra”.

Ky nxënës më vonë u bë profesor në universitet, thotë Yusuf Ozmerdivenli, njeri dhe edukator i jashtëzakonshëm. /tesheshi.com/