Banorët e komunës së Haraçinës mëngjesin e sotëm vendosën vetë ta pastrojnë kanalin i cili kalon nëpër fshatin e tyre, e që vite me radhë edhe përkundër premtimeve të shumta të kryetarëve të komunës akoma nuk është rregulluar. Pasi eskavatori i angazhuar nga banorët e Haraçinës filloi pastrimin në teren, erdhi një inspektor komunal dhe ndërpreu punën e mëtutjeshme për pastrimin e këtij kanali. Qytetarët të revoltuar e ndërprenë punën, por thonë që kjo nuk do të mbetet kështu sepse frikësohen për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve. Ata ankohen se kanë ndërmarrë një hap të tillë sepse era e keqe është pa durueshme, e kjo sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.

Kryetari i komunës së Haraçinës në aksionin e sotëm qytetar sheh prapavijë politike. Ai thotë që komuna ka projekt për zgjidhjen e këtij problemi të kamotshëm për qytetarët e kësaj zone.

Përndryshe të gjithë kryetarët paraprak të kësaj komune e edhe ky që është tani para se të ulën në kolltukun e kryetarit të komunës së Haraçinës kanë premtuar zgjidhje dhe sanim të tërësishëm të kanalit, por asnjëri prej tyre nuk e ka realizuar premtimin.