Ambasadori koreanoverior në OKB, Han Tae Song theksoi sot se vendi i tij kae të drejtën e vetëmbrojtjes përballë qëllimeve armiqësore të shfaqura nga SHBA-të, disa orë pas lëshimit nga Pheniani të një rakete balistike, që në trajektoren e saj kaloi edhe mbi territorin japonez.

“Manovrat e përbashkëta ushtarake amerikano-koreanojugore që po zhvillohen aktualisht, në mes të tensioneve në gadishullin korean dhe pavarësisht paralajmërimeve të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, nuk janë asgjë më shumë se një akt fanatik që i shtojnë benzinë zjarrit”, deklaroi në Konferencën për Çarmatimin të OKB-së në Gjenevë ambasadori Han.

Pheniani kishte paralajmëruar kundër manovrave të organizuara çdo vit nga Seuli dhe Uashingtoni në kufijtë e Koresë së Veriut, që i konsideron si një përpjekje për pushtimin e territorit të saj.

Koreja e Veriut lëshoi sot në mëngjes një raketë balistike që fluturoi mbi Japoni para se të binte në oqeanin Paqësor.