Bashkëshortja e Goran Grujevskit i cili është në arrati e ka dorëzuar armën e tij zyrtare policisë, mëson Alsat M. MPB- ja dje pas disa përpjekjeve arriti ta kthejë armën zyrtare të ish shefit të Drejtorisë së Pestë i cili e ka poseduar zyrtarisht. Pistoleta e llojit Glok, një magazinë me municion si dhe plumba të kalibrit 9 milimetra policia i ka marrë nga banesa e Grujevskit. Alsat M publikoi se MPB ka probleme për ta kthyer armën zyrtare pasi Gjykata Penale ka refuzuar të lëshojë urdhër të cilin policia e ka pritur me ditë të tëra. Tani pistoleta është siguruar pasi bashkëshortja e Grujevskit vullnetarisht e ka dorëzuar. Zyrtarisht ministri i brendshëm sot shkurt theksoi se arma është kthyer.

Dua të dini se që të dy nuk kanë kurrfarë të drejte për marrëdhënie pune, sepse ato u janë pushuar, ashtu siç parasheh ligji, ndërsa arma zyrtare e Grujevskit dje është kthyer në MPB, kështu që edhe ky obligim i ministrisë është kryer – tha Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.

Ish krerët e policisë sekrete Grujevski dhe Boshkovski janë zhdukur. Ata u zhdukën në momentin kur Gjykata Supreme e konfirmoi paraburgimin e tyre. Paraprakisht masën e njëjtë e shqiptoi edhe Gjykata e Apelit. Ata e ankimuan vendimin në gjykatën më të lartë, ndërsa vendimin e pritën në liri. Në kërkim të Grujevskit dhe Boshkovskit është edhe Interpoli. Ata akuzohen për përgjimet e paligjshme dhe shkatërrimin e një pjese të pajisjeve për incizimin e bisedave telefonike.