Greqia kërkoi sot ndihmën e partnerëve evropianë, në pritje tashmë dhe të ndihmës së Qipros, për t’i bërë ballë tre zjarreve të mëdhenj, që kanë shkatërruar një nga mushkëritë e gjelbëra të rajonit të Athinës, njoftuan sot zjarrfikësit.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë nga zjarret që kanë përfshirë që prej ditës së dielë bregun lindor të Atikës, rajon i Athinës, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti, vendi ka kërkuar aktivizimin e mekanizmit evropian për mbrojtjen civile për një asistencë në mjete ajrore”, njoftoi në një konferencë shtypi zëdhënësja e zjarrfikseve, Stavroula Malliri.

Ajo theksoi se vendi kërkon veçanërisht katër avionë të tipit CL-415.

“Franca nuk është shprehur e gatshme për të kontribuar pasi po lufton vetë kundër zjarreve në Korse”, shtoi ajo, përcjell Atsh.

“Qipro ka ofruar tashmë ndihmën e 60 forcave zjarrfikëse ndërkohë që një avion ushtarak grek është nisur t’i marrë”, nënvizoi ajo.

Forcat që po luftojnë në Atikë, në një zonë pyjore, janë shtuar sot duke arritur në 290 forca zjarrfikëse dhe mbështetur nga pesë avionë dhe shtatë helikopterë.