Gazetari Nikita Razvozzhayev po raportonte në një linjë të drejtpërdrejtë nga një park në Moskë për televizionin rus NTV. Aty po shënohej dita e forcave ajrore ruse dhe vendi ishte i mbushur me ushtarakë e parashutistë që po festonin në rroba civile.

Një video nga transmetimi tregon një person teksa po i afrohej gazetarit. Ndërsa gazetari e lut që të mos afrohet pasi ishte në transmetim direkt, personi që dukej se ishte i dehur e goditi me grusht në fytyrë gazetarin, i cili nuk rezistoi por u largua dhe transmetimi u ndërpre.

Policia, që e arrestoi personin menjëherë pas incidentit, tha që ai është i njohur për ta pasi kryen vazhdimisht vepra të dhunshme, kryesisht në ndeshje futbolli.

Shikuesit e nervozuar rusë, thanë që këto gjëra ndodhin shpesh atje, sidomos kur njerëzit janë në festa dhe konsumojnë shumë alkool. Rusia njihet si një prej vendeve me konsumin më të lartë të alkoolit – kryesisht vodkës – për kokë banori në botë.