Një furgon është përplasur në mesin e këmbësorëve në Rambla të Barcelonës, derisa shumë persona janë lënduar, është cituar të ketë thënë policia spanjolle.

Policia e ka përshkruar incidentin përmes Twitterit si “përplasje masive”.

Shërbimet e emergjencës kanë bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë larg zonës, Placa Catalunya, dhe kanë kërkuar mbylljen e stacioneve të trenave dhe të metrosë, në pjesën ku ka ndodhur incidenti.

Gazeta El Pais, ka thënë se drejtuesi është larguar në këmbë, pasi ka lënduar një numër të njerëzve.

Detajet e plota të incidentit ende nuk janë bërë të ditura, mirëpo që nga korriku i vitit 2016, furgonat dhe mjete të tilla përdoren për sulme në qendra të ndryshme të Evropës, duke përfshirë, Nicën, Berlinin, Londrën dhe Stokholmin.

Deri më tash nga këto sulme me furgona kanë vdekur më shumë se 100 persona.