Projektohet edhe një bashkëpunim shumë i afërt dhe shumë i ngushtë mes klubit kampion në Itali, Juventus F.C, JMedical dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

FSHF-ja përmes faqes zyrtare bën të ditur se, “këtë të premte, presidenti i FSHF-së, Armand Duka është pritur në selinë e klubit të Juventusit nga dy administratorët e deleguar të klubit, Giuseppe Marotta dhe Aldo Mazzia, si dhe gjithashtu në shoqërinë e administratorit të deleguar të JMedical, Elio Testa.

  Takimi është fokusuar në shumë pika rreth mundësisë së bashkëpunimit të shpejtë mes FSHF-së, klubit të Juventusit dhe JMedical, duke u fokusuar në asistencën mjekësore që JMedical mund të ofrojë, jo vetëm për sa i përket ekipeve kombëtare, por të ketë një shtrirje në të gjithë futbollin shqiptar”.

JMedical është një nga klinikat më të mira në botën e sportit dhe të futbollit me një staf të shkëlqyer mjekësh sportivë, thotë FSHF.“Vet kreu i FSHF-së shprehu angazhimin e Federatës së Futbollit për të nisur sa më shpejt një bashkëpunim konkret.

Ftesa për një vizitë në Tiranë në një kohë të përshtatshme u mirëprit edhe nga krerët më të lartë të Juventusit dhe pritet që së shpejti të konfirmohet marrëveshja e diskutuar”, thuhet në faqen e Federatës së futbollit shqiptar.