Analistët e sigurisë vlerësojnë se 1 mijë e 700 qytetarë francezë janë bashkuar me grupin terrorist Shteti Islamik, që ka kryer një sërë sulmesh në Francë. Bilanci i viktimave: mbi 200 vetë në dy vitet e fundit. Franca ka popullsinë më të madhe myslimane në Evropë dhe një histori të gjatë sulmesh ekstremiste, por vetëm dy vjet më parë qeveria e saj ndërmori një përpjekje të përqendruar për të parandaluar radikalizimin e të rinjve myslimanë, shumë më vonë se vende të tjera evropiane si Britania dhe Danimarka. Fillimi i projektit të çradikalizimit në Francë ishte i ngadaltë dhe me probleme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës shpjegon arsyet.

Franca vendosi t’i fillonte përpjekjet për të luftuar radikalizimin e të rinjve mylsimanë në vreshtat idilike të Luginës së lumit Loire.

Kjo ishte një nga qendrat e para qeveritare për ri-integrim ku myslimanët e rinj në rrezik për radikalizim, ishin planifikuar të vinin, të këndonin himnin kombëtar dhe të mësonin për parimet laike në themel të republikës franceze.

Në parim, qyteti e mirëpriti këtë ide, por vetëm në fillim.

“Shumë njerëz kishin vullnet të mirë në fillim dhe thanë ‘pse jo, ta provojmë’. Sot shohim që nuk funksionoi. Ishte një dështim”.

Pjesëmarrja nuk ishte e detyryeshme dhe vetëm një grup i vogël të rinjsh myslimanë shkuan. Ata që u paraqitën i frikësuan fqinjët. Disa banorë krijuan një shoqatë kundër tyre.

“Shoqata nuk është kundër strategjisë së çradikalizimit por thjesht ne gjykojmë se në këtë qytet, në Beaumont-en-Véron, në një zonë të banuar, nuk është vendi i duhur. Njëri prej tyre ishte në listën e atyre që përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Një tjetër kishte probleme psikiatrike. Njëri bënte pjesë në një nga grupet më të rrezikshme xhihadiste në Francë, rrjeti i Strasburgut dhe kishte lidhje me një nga autorët e sulmit të Bataklanit. Pra ne kishim shifra që ngrinin pyetje për një rrezik që ishte i dukshëm”.

Zyrtarë të qeverisë franceze bien dakord me banorët lokalë se projekti dështoi.

“Unë mendoj se çradikalizimi është i vështirë dhe ne bëmë këtë eksperiment me qendrën e parë të ri-integrimit në Francën qendrore dhe pranimi social nga fqinjët ishte i ulët dhe na u imponuan kritere shumë strikte dhe në fund të fundit nuk funksionoi”.

Ankesat e fqinjëve janë tregues të qëndrimeve sociale në Francë që e bëjnë çradikalizimin një temë të vështirë për t’u trajtuar në një vend dikur katolik ku laiciteti është tani i shenjtë.

“Një nga pengesat kryesore ishte laiciteti, që është ideologjia e shtetit francez, që qeveria nuk duhet të ndërhyjë tek feja që është një çështje private”.

Zyrtarët e qeverisë e quajnë një proces prove dhe tani po shqyrtojnë mënyrat se si të komunikojnë me të rinjtë myslimanë, që aktivistja Latifa Ibn Ziaten e mbështet. I lindur në Marok, djali i Ziatenit, një ushtar parashutist, u vra në një sulm terrorist në vitin 2012. Ajo tani flet para grupeve të nxënësve të shkollave.

“Sot, për një të ri duhet të kujdesesh që kur është fëmijë në kopësht dhe shkollë fillore. Por po ndodh e kundërta. Ne po e bëjmë një gjë të tillë kur ata janë në klasë të shtatë ose të tetë dhe atëherë është shumë vonë”.

Një pjesë teatrale e quajtur “Jihad”, për disa të rinj mylsimanë belgë të radikalizuar, që janë në Siri, po shfaqet në Francë. Ashtu si Latifa, aktorët e saj besojnë se radikalizmi duhet menaxhuar në nivel shoqëror.

“Tema është shumë komplekse. Nuk mund ta lëmë pas dore. // Pjesa teatrale nuk pretendon të japë të gjitha përgjigjet ose zgjidhjet. Por e bën shikuesin të pyesë veten se çfarë objektivash kanë vendosur për vete këta të rinj dhe cili është motivimi i tyre”.

Plani ishte të ngriheshin qendra të ngjashme në çdo rajon të Francës. Por kjo nuk do të bëhet. Tani, qeveria e Presidentit të ri Emmanuel Macron po përpiqet të nxjerrë mësime nga dështimi dhe të gjejë rrugë të reja