Komisionet komunale zgjedhore (KKZ) përmes softuerit dhe bazës së Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) sot filloi me zgjedhjen e anëtarëve të këshillave zgjedhore për Zgjedhjet lokale 2017 të caktuara për më 15 tetor. Për katër ditë, me përzgjedhje të rastësishme nga ana e administratës, duhet që të përzgjidhen 20.886 persona për kryetarë, zëvendëskryetarë, anëtarë dhe zëvendës të anëtarëve në këshillat zgjedhore për 80 komisione komunale zgjedhore.

Vetëm sot duhet që të zgjidhen anëtarët e këshillave zgjedhorë për Manastirin, Kumanovën, Prilepin, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën, Strugën, Aerodromin, Gazi Babën, Ohrin, Çairin dhe Bosilovën. Gjithsej do të  zgjidhen 7.908 persona.

 

Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës  (MSHIA) në mesin e këtij muaji publikoi se deri në KSHZ ka parashtruar Regjistër të të punësuarve në sektorin publik me të dhëna për 115.729 persona.

Zëdhënësja e KSHZ-së, Arijeta Xhemaili deklaroi se nuk ekziston hapësirë për manipulime gjatë zgjedhjes së anëtarëve të këshillave zgjedhore, sepse baza është marrë nga MSHIA dhe punohet në përzgjedhje të rastësishme.

 

Gjatë përzgjedhjes së rastësishme në Shtëpinë e ARM-së, anëtarja e KSHZ-së Silvana Bonea shprehu pakënaqësi që shërbimi IT i Komisionit, edhe pse ka pasur konkluzione nga seanca e mbrëmshme, nuk ka parashtruar informacione për të punësuarit në sektorin publik sipas komunave.

Deri në mesditë, sipas Bonevës, shefi i sektorit IT as anëtarëve të KSHZ-së dhe as anëtarëve të KKZ-së nuk i ka parashtruar një pasqyrë të tillë.

“Kjo është në kundërshtim me vendimin e KSHZ-së dhe Komisioni duhet që shumë seriozisht të reagojë dhe gjatë ditës së sotme të marrë vendim për këtë sjellje të shefit të sektorit IT”, tha Boneva.

Gjatë ditës, anëtarët e KSHZ-së patën takime me anëtarët e  përfaqësuesve të pranishëm të KKZ-ve.

Këshillat zgjedhore duhet që të kompletohen me nga një anëtar dhe zëvendës që do të propozohen nga partitë politike në pushtet dhe nga opozita me më tepër vota të fituara në zgjedhjet e fundit. Partitë politike në këtë mënyrë duhet që të propozojnë gjithsej 13.924 persona për anëtarë dhe zëvendësit e tyre në këshillat zgjedhore. Afati për parashtrimin e propozimeve nga partitë politike është deri më 26 gusht, ndërsa nëse nuk parashtrohen emrat deri në KKZ, anëtarët e këshillave zgjedhore do të  zgjidhen  nga radhët e administratës.

Për votimin në këto zgjedhje në 80 komisione komunale zgjedhore do të formohen 3.481 këshilla zgjedhore, ndërsa për këtë qëllim do të emërohen 34.810 persona nga administrata dhe në propozim të partive politike.

Sipas Rregullores të KSHZ-së, brenda 27 gushtit KKZ-së duhet që t’i formojnë këshillat zgjedhore.

Prej dje rrjedhin afatet për shqyrtimin e Listës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të zgjatë deri më 9 shtator në mesnatë dhe për grumbullimin e nënshkrimeve para përfaqësuesve të autorizuar të KSHZ-së për propozimin e listës së kandidatëve për kryetar komune dhe për anëtarët e këshillit të komunave nga një grup zgjedhësish. Grumbullimi i nënshkrimeve do të zgjatë pesëmbëdhjetë ditë respektivisht deri më 4 shtator në mesnatë.