Bajram Rexhepi që për shumë kë u bë i njohur vetëm si politikan, nuk e donte shumë politikën. Ai ishte i lidhur me profesionin e tij prej kirurgu me të cilin nuk do ta ndërronte me asgjë. E kreu këtë punë edhe atëherë kur jeta e tij vihej në pikëpyetje.

Doktori i luftës, duke rrezikuar veten ua shpëtoi jetën shumë ushtarëve dhe civilëve gjatë luftës në Kosovë. Njëri prej tyre është Demë  Ferizi nga fshati Plluzhinë i Skenderajt. Njeriu që u godit me plumb në kokë është ende gjallë dhe kujton historinë me doktorin e tij që tashmë ka ndërruar jetë.


Ishte viti 1998 kur plumbat goditën në kokë Ferizin që pakkush besoi se do të shpëtonte.

Por, falë ndihmës së dhënë nga mjeku i luftës, Bajram Rexhepi, ai është ende gjallë për ta kujtuar sot të vdekur doktorin që e shpëtoi.

“Shumë kujt i ka nimu po mu më doket që mas shumti m’ka nimu. Ai i dekun unë gjallë neve na këqyrë boll…”, tha ai.

Demës, i cili ka mbetur me pasoja nga plumbat gjatë luftës, i kujtohen pak momentet kritike të kohës kur ai po luftonte me jetën. Por, i vëllai i tij, Ceni rrëfen për ngjarjen.

“Motra e ka dërguar me kerr nëpër rrugë alternative deri në Mitrovicë atje ku e ka operuar dr, Bajrami Rexhepi…”, tha ai.

Dema është vetëm njëri prej shumë civilëve e ushtarëve të UÇK’së të cilëve doktori u ndihmoi duke e rrezikuar edhe jetën për t’u dalë në ndihmë të tjerëve./rtk