Politikanët i harruan personat me nevoja të posaçme. Ndonëse tendat e iniciativës, “pesë në dymbëdhjetë” për të pestin muaj janë vendosur në parkun përballë kuvendit, deputetët të cilët thuajse çdo ditë kalojnë aty nuk bëjnë asgjë për zgjidhjen e problemit të tyre. Prindërit e fëmijëve me sindromën Daun janë të revoltuar pasi siç thonë, edhe pushteti i kaluar edhe i riu i trajtojnë sikur të jenë të padukshëm, edhe pse të gjitha ministritë kompetente janë njoftuar me kërkesat e tyre.

Mund të themi se për këto pesë muaj thuajse nuk është bërë asgjë. Është bërë shumë pak, vetëm nga Ministria e Punës dhe Politikës sociale. Tashmë nuk do të qëndrojmë në tenda, do të tubohemi para ministrive kompetente, do t’i presim ministrat dhe do t’i përcjellim bashkë me fëmijët tonë sepse ne nuk kemi ku t’i lëmë ata- tha Suzana Stojanovska, Trisomia.

Ata kërkojnë ligjet që i trajtojnë këto probleme të mos miratohen me procedurë të përshpejtuar dhe pa përfshirjen e tyre. Ankohen se ka mungesë të medikamenteve dhe se nuk janë plotësuar kushtet për fillimin e viti të ri shkollor për këta fëmijë.

A duhet ne të funksionojmë në një shoqëri ku duhet të jemi të harruar apo të trajtohemi si zorrë qore dhe ministritë dhe institucionet të luajnë me ne si top pingpongu. Është koha, zotëri Zoran Zaev, edhe ju ishit sikur ne kur bënit thirrje “ej ajde qytetarë” ja tani kujtoni dhe zgjohuni. Ne jemi këtu, takohuni me ne- tha Suaret Alishan, Iniciativa “Pesë më dymbëdhjetë”.

Nga iniciativa “Pesë më dymbëdhjetë” gjithashtu kërkojnë urgjentisht të miratohet strategji për atë se çfarë do të ndërmarrë shteti për t’u kujdesur për personat me nevoja të posaçme që kanë prindër të moshuar.

Çfarë do të bëhet me fëmijët dhe pasuritë tona pas neve? Ne ofruam çfarë duhet të bëhet në këtë kontekst, por akoma asnjë veprim në këtë drejtim. Përfundimisht d duhet të miratohet ligji bashkërisht me ne, që të paktën të vdesim të qetë- tha Zoran Mijalkov , shoqata e autizmit “Zemra të bashkuara”.

Prindërit e fëmijëve me nevoja të posaçme për herë të parë tendat e tyre në parkun përballë kuvendit i vendosën më 20 prill. Ata grumbulluan 30 mijë nënshkrime për të iniciuar ndryshime në më shumë ligje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e kësaj kategorie, por tani do të duhet t’i presin deputetët të kthehen nga pushimi./alsat-m