Korea e Veriut dhe SHBA kanë ashpërsuar fjalorin,  me këtë të parën që deklaroi se plani i saj për të lëshuar 4 raketa pranë territorit amerikan të Guamit do të jetë gati së shpejti.

Media shtetërore e Penianit, KCNA citoi të mërkurën Gjeneralin Kim Rak Gyom, sipas të cilit, Peniani është “gati të ndërmarrë” një veprim ushtarak që ka në shënjestër territorin amerikan në Paqësorin Perëndimor, ku janë stacionuar një sasi e konsiderueshme forcash ajrore dhe detare të SHBA-së. Kim, i cili komandon Forcën Strategjike të Ushtrisë Popullore të Koresë, tha se Veriu do të finalizojë një plan nga mesi i gushtit për të hedhur katër raketa me rreze të mesme, të njohura si Hwasong-12 në drejtim të ishullit.

Megjithatë pse Korea Veriore e merr në konsideratë këtë ishull? Dhe pse SHBA kanë një ndër bazat kryesore ushtarake në atë ishull?

Disa përgjigje mbi pyetjet më të rëndësishme.

Prej cilit vit Guami është pjesë e territorit të SHBA?

Ishulli i zbuluar nga Ferdinand Magellan në 1521 ka qenë i pushtuar për 300 vjet nga Spanja, ndërsa na 1898 është pjesë e territorit amerikan. Banorët e ishullit janë shtetas amerikanë, por nuk kanë të drejtë vote.

12.000 kilometra në perëndim të Uashingtonit dhe “vetëm” 3200 kilometra nga Korea Veriore, Guami është territori më i largët amerikan dhe një ndër të pakta që është pushtuar ndonjëherë. Nga 1941 deri 1944, ky territor ra në duart e japonezëve.

Sot ishulli ka 162.000 banorë, kryesisht besimtarë katolikë, dhe njihet për taksat e ulta. Shumë turistë nga Tajvani, Korea Jugore dhe Japonia fluturojnë drejt ishullit për të përfituar nga çmimet e ulta.

Çfarë roli luan Guami për ushtrinë amerikane?

Guami është një lloj udhëkryqi për armatimin ajror amerikan. Ndodhet thuajse mes oqeanit Indian dhe atij Paqësor dhe një e katërta e territorit të saj shërben si bazë ushtarake. Aty ka të stacionuara nëndetëse bërthamore.

Ka mbi 5000 ushtarë. Numri i saktë i tyre nuk është publik.

Andaj shpesh urdhrat ushtarake të nisura nga Guami kanë rezultuar me “kokëdhimbje” për Korenë Veriore, por edhe Kinën.

Si është situata me banorët e Guamit?

“Çdoherë kur ka ndonjë konflikt në rajon, Guami luan rolin e tij,” thotë presidenti i Universitetit të Guamit, Robert A. Underwood, për “Washington Post”.  Retorika e ashpër mes Trump dhe Kim Jong Un, ka frikësuar edhe shumë studentë të huaj në ishullin amerikan. Një ndër ta është zviceranja Eva Kuske, që të dielën duhet të fluturojë drejt ishullit. Por me shtimin e retorikës, ajo mund të kthehet para kohe.

Të mërkurën, Presidenti Donald Trump deklaroi se arsenali bërthamor i SHBA-së “është shumë më i fortë dhe më i fuqishëm se kurrë më parë”. Ai i bëri komentet ndërkohë që Sekretari i tij i Shtetit, Rex Tillerson u përpoq të zbuste krizën rreth Koresë së Veriut