– Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi sot se vendi i tij “asnjëherë nuk do të lejojë” milicia kurde, të cilën Turqia e kualifikon si organizatë terroriste, të krijojë shtet kurd në pjesën veriore të Sirisë.

“Ne nuk do të lejojmë dhe asnjëherë nuk do të pajtohemi me krijimin e të ashtuquajturit shtet nga Partia e Lidhjes Demokratike dhe Forcave për Mbrojtjen e Popullit në Sirinë Veriore”, theksoi Erdogan.

Turqia e shikon Partinë e Lidhjes Demokratike dhe krahun e saj ushtarak Forcat për Mbrojtjen e Popullit si degë siriane të Partisë Punëtore Kurde (PKK), që është shpallur si organizatë terroriste nga ana e Ankarasë, SHBA-së dhe BE-së.

Partia e Lidhjes Demokratike në mars të vitit 2016 shpalli administratë gjysmë të pavarur në veri të Sirisë.

SHBA-ja është aleate e Forcave për Mbrojtje të Popullit në luftë kundër grupeve terroriste Shtetit Islamik.

Kjo shkakton pakënaqësi në Turqi, e cila frikësohet nga krijimi i zonës nën kontroll të Kurdëve në afërsi të kufirit të saj.

Ankaraja në disa nga javët e fundit u kanos me intervenim ushtarak , veçanërisht në kantonin kurd Afrin, në veriperëndim të Sirisë.

Në pyetjen nëse është i mundur operacion turko-iranian kundër kryengritësve kurdë në pjesën veriore të Irakut, Erdogani u përgjigj se “një mundësi e tillë është gjithmonë në rend dite.

Njëkohësisht, Turqia ashpër e kundërshton referendumin për pavarësi të Kurdistanit Irakian, që është caktuar për në 25 shtator edhe përkundër  marrëdhënieve të mira me liderin e kurdëve irakianë Masud Barzani.