Tanimë një javë nga vrasja e Dilaver Bojku Leku ende nuk ka asgjë të re rreth hetimit lidhur me vrasjen e tij. Policia dhe prokuroria publike, nuk japin kurrfarë detaje plotësuese. Nga SPB Ohër thonë për Alsat M se nuk ka asgjë të re dhe se tani për tani nuk ka asnjë të dyshuar.

Nga ana e Prokurorisë Publike Themelore – Strugë thonë se në vazhdimësi po ndërmerren të gjitha mjetet e hetuese për të zbuluar autorin dhe motivet e vrasjes. Në opinionin e Strugës përveç gjakmarrjes, si një nga shkaqet, tani përmenden edhe siç thuhet interesat e biznesit si një arsye e mundshme për ngjarjen.

Leku u vra të hënën e kaluar në mes të ditës në një restorant në plazhin Aqua Blue i cili ishte në pronësi të tij, me një plumb në kokë. Autori menjëherë është larguar nga vendngjarja.

Pas vrasësit kanë vrapuar dy persona, por, kur iu kanë afruar, ai ka shkrepur dy plumba drejt tyre dhe është larguar.