Ka arritur grupi i fundit i haxhilerëve nga Maqedonia, të cilët kanë udhutuar mbrëmjen e së shtunës. Sot ata i janë bashkangjitur haxhilerëve të tjerë dhe që të gjithë kanë filluar me zbatimin e obligimeve si dhe të lutjeve që i përkasin haxhit.

Sekretari i Përgjithshëm i BFI-së, H. Irsal Jakupi, njëherit krryesues i ekipit udhëheqës të haxhilerëve nga Maqedonia, nga Meka konfirmon se kanë arritur të gjithë haxhinjtë dhe se të gjithë gëzojnë shëndet të  mirë dhe se janë në kryerjen e obligimeve të haxhit.

“Që të 840 haxhinjtë që kanë udhëtuar nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të RM, janë vendosur nëpër hotele dhe se që të gjithë janë shëndosh e mirë. Rrugës kanë kaluar mirë dhe se tashmë janë duke i përjetuar momentet e para të një çasti të paharrueshëm në jetë, siç është Haxhi”, ka theksuar efendi Jakupi, përmes telefonatës nga Meka e shenjtë.