Trupi i pajetë pa kokë i gazetares suedeze Kim Wall është gjetur në ujërat e Danimarkës, raporton policia vendase. E zhdukur prej kohësh, pas analizave të ADN-së së bërë në trupin e viktimës së gjetur u zbulua se ai i përkiste gazetares.

Shefi investigues Jens Moller tha se trupi i saj ishte mbushur me metale për të bërë të mundur zhytjen në det dhe jo qëndrimin e trupit mbi sipërfaqe të ujit.

Wall u pa gjallë për herë të fundit më 10 gusht, teksa nisej për një udhëtim me Peter Madsen, shkruan BBC.

Partneri i Wall raportoi se ajo nuk ishte kthyer nga udhëtimi, ndërkohë që disa orë pas fillimit të kërkimit për gazetaren, nëndetësja u fundos.

Madsen fillimisht deklaroi se ai e kishte zbritur Wall në afërsi të Kopenhagenit, ndërsa më pas tha se ajo kishte vdekur në një aksident dhe ai e kishte “varrosur” në det. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura.

Policia daneze beson se nëndetësja 40-tonëshe është fundosur qëllimisht nga Madsen. Ata kanë gjetur gjurmë gjaku brenda mjetit që janë përputhur me ADN e Wall.