Dy shtetas holandezë kanë dalë sot para gjykatës për shkak të skandalit me vezë të infektuara, të cilat janë shitur në gjithë Evropën.

Dy meshkuj, të cilët mediat holandeze i kanë identifikuar si Martin van de B. (31) dhe Matis I.J. (24), kanë dalë në seancën e mbyllur para gjyqtarit në qytetin holandez Zwolle.

Të dy ata akuzohen se kanë rrezikuar shëndetin publik duke përdorur substanca të dëmshme.

Menaxherët e kompanisë holandeze “Chickfriend” janë arrestuar të enjten e kaluar, në kuadër të hetimeve për përdorim ilegal të insekticidit të dëmshëm potencial në industrinë e shpezëve.

Kompania holandeze është në epiqendër të skandalit me vezët e infektuara me insekticidin fipronil.

Miliona pula janë tërhequr nga supermarketet evropiane për shkak të frikës se janë të kontaminuara me insekticidin fipronil, i cili është i popullarizuar për trajtimin e rriqrave, merimangave, por është i ndaluar të përdoret në zinxhirin e ushqimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konsideron se fipronili është helmues kur përdoret në masa të mëdha dhe shkakton dëmtimin e organeve të njeriut.