Me afrimin e ditës më të rëndësishme të Republikës së Kosovë, ajo e mbajtjes së seancës së Kuvendit, me 24 gusht, jo vetëm që kanë marrë ritëm ofertat për tejkalimin e krizës, por njëkohësisht është rritur edhe oreksi për marrjen e pushtetit përmes formulave të ndryshme për krijimin e koalicioneve.

Kohëve të fundit janë shtuar zërat e partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re, do t’i bashkëngjitet koalicionit PAN. Këtë më së shumti e ka dëshmuar fakti edhe takimi I të nominuarit të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj me kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli, në shtëpinë e tij në Hajvali.

Megjithatë, burime të sigurta pranë AKR-së, i kanë thënë kosova.info, se kreu i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, nesër në ora 14:00, to ta mbledhë Kuvendin e Përgjithshëm të AKR-së, ku përpos disa pikave të diskutimit, temë kryesore në këtë takim do të jetë zyrtarizimi i AKR-së, me koalicionin PAN.

“Nesër në ora 14:00, Do të mbahet mbledhja e katërt e Kuvendit të Përgjithshëm të AKR-së, në hotel Sëiss Diamond-Salla Artana. Në këtë mbledhje pikë kryesore e rendit të ditës do të jetë njoftimi i Kuvendit për zyrtarizimin e AKR-së me koalicionin PAN. Po ashtu në këtë mbledhje do të diskutohet edhe rreth përgatitjeve për zgjedhjet lokale në vend”, ka theksuar burimi për kosova.info.

Edhe pse në të gjitha paraqitjet publike, Behgjet Pacolli ka deklaruar se do t’i mbetet besnik koalicionit LAA-në, ku edhe ka garuan në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, siç duket ky besim është zbehur, me faktin se z. Pacolli, do të kalon për një bashkëpunim të ri tek koalicioni tjetër PAN, I cili edhe ka dal fitues në këto zgjedhje.

Ndërkaq, po sot, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mos prezenca e tyre nëpër vazhdimin e seancave konstitutive ka qenë në të mirë të vendit.

“Kemi pas mundësinë me u kthy në seancë me 61 vota, por është krijuar një situatë e re më gjithëpërfshirëse te pozicioni i AKR-së dhe i kemi dhënë kohë”, ka thënë Haradinaj, në një konferencë me gazetarë.

Ai ka thënë se këtë e kanë bërë me kujdes të madh por që arsyetohet, sepse në mandatin e tyre do të kenë përfshirje më të gjerë në qeverisje.

“Nuk do t’i humbin më kohë vendit. S’jemi të kënaqur që ka ndodhur por po arsyetohet sepse do te kemi një përfshirje më të gjerë në qeverisje”, ka përfunduar Haradinaj.

Edhe nënkryetari i PDK’së Xhavit Haliti, ka folur për zhvillimet e fundit. Ai ka thënë se koalicioni i ka numrat dhe më 24 gusht, kur edhe është caktuar seanca konsultative, do të zgjidhet Kadri Veseli kryeparlamentar, pasi nuk kanë tjetër emër.

“Ne e kemi propozuar Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit, dhe për ecjen më tutje të formimit të institucioneve të reja I kemi votat e mjaftueshme, dhe askush nuk ka nevojë të shkojë me alternativa”, ka thënë Haliti.

Në anën tjetër, pas një heshtje të gjatë, i nominuari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka propozuar që VV dhe LAA ta propozojnë një kandidat të tyre për kryetar të Kuvendit në seancën e 24 gushtit.

Për LDK-në, ky propozim mbetet të shqyrtohet derisa partneri i tyre AKR deri më sot e ka mbështetur idenë e Kurtit, ndërsa nga nesër jo, pasi që, nesër do të zyrtarizohet kalimi i AKR-së tek koalicioni PAN.

Por, për analistë politik, asgjë nuk ka definitive marrë parasysh manovrimet politike të kreut të AKR Behgjet Pacollit.

Në arsyetimin e propozimit të tij, Kurti ka thënë se këtë veprim duhet bërë për të zhbllokuar situatën e krijimit të institucioneve, që sipas tij, po bënë PAN-i.

Kurti, ka thënë se nëse në seancës e javësh së ardhshme, nëse PAN nuk propozon kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, atëherë deputetët të cilët deri tani kanë marr pjesë në seanca ta propozojnë një kandidat dhe ta zgjedhin kryetarit.

Për këtë çështje, Lutfi Haziri nga LDK, ka thënë për Kosova.Info, se LDK do ta shqyrtojë, përderisa Korab Sejdiu nga AKR e ka mbështet këtë propozim, sot.

Analisti politik, Blerim Burjani, konsideron se diçka po ndodhë në mes PAN dhe Pacollit, meqë ky i fundit kaherë ka filluar të lëvizë prej qëndrimeve të veta, sa i përket koalicionit me PAN, edhe pse ende nuk ka defintivie, dhe pritet të shihet në vazhdim.

“Ende asgjë nuk duket tejet e qartë dhe definitive. Tash mbetet të shihet se a ka interesa tjera Pacolli. Konsiderojë se edhe LAA ka gabuar që ka fut ur brenda AKR-në, duke ditur se Pacolli nuk ofron garanca të mëdha, se do të mbajë qëndrimet politike. Pacolli është deklaruar disa herë se ai do të ndalë ngërçin dhe bllokadën por pa precizuar si?”, tha Burjani.

Përndryshe, për pesë herë më radhë ka dështuar mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit, në mungesë të koalicionit.

Por në mbledhjen e fundit konsultuese të të gjitha partive politike është vendosur që me 24 gusht të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Për pjesëmarrjen në këtë seancë ka garantuar edhe koalicioni PAN.