Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të martën, 22 gusht 2017, ditë zie në Kosovë, në nderim të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili sot ndërroi jetë.

“Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish kryeministër i Kosovës, ish ministër i Punëve të Brendshme, ish deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg.”, thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi.

Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Trupi i pajetë i ish-kryeministrit do të kthehet nesër në mëngjes në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa më pas, prej orës 10 deri në orën 12 do të ketë homazhe në Kuvendin e Kosovës.

Rexhepi do të varroset në orën 16:30 në varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës.