Personeli i Ambasadës serbe sot kthehet në Shkup, kumtoi MPJ-ja, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, siç transmeton Tanjugu, në Beograd do ta presë ambasadoren e Maqedonisë, Vera Jovanovska Tipko.

Takimi i Vuçiqit me Tipkon duhet të mbahet në ora 11.

Sipas MPJ-së serbe, ambasadorja serbe në Shkup Dushanka Divjak Tomiq kthehet në Shkup më 31 gusht. Pritet ajo të kërkojë takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev më 1 shtator.

MPJ-ja serbe informoi edhe se ministrat e punëve të jashtme të të dy vendeve, Ivica Daçiq dhe Nikolla Dimitrov, nesër do të kenë takim në Nish, ku “me rrugë të dialogut do të fillojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura me qëllim të avancimit të marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve dhe dy popujve”.

Për tërheqjen e personelit serb nga Ambasada në Shkup, dje me telefon kanë biseduar Zaev dhe Vuçiq. Ata arritën marrëveshje, siç thuhet në kumtesën e përbashkët, që Maqedonia dhe Serbia të punojnë në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale, ndërsa çdo mosmarrëevshje eventuale të zgjidhet ekskluzivisht me dialog. U pajtuan që pa marrë parasysh të gjitha dallimet politike për çështje të rëndësishme politike rajonale, Maqedonia dhe Serbia bashkarisht të luftojnë jo vetëm për ruajtjen, por edhe për avancimin e marrëdhënieve miqësore mes popujve të Maqeodnisë dhe Serbisë dhe qytetarëve të të dy vendeve