Është me rëndësi të vendosim relacion të hapur, të shohim çfarë është me rëndësi për Greqinë dhe ta sqarojmë atë që është më  e rëndësishme për Maqedoninë. Është me rëndësi edhe për Greqinë ta njohë momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në përgjigjen në pyetjen e gazetarëve për pritjet nga vizita e nesërme e shefit të diplomacisë greke Nikos Koxias në Shkup.

“Jam i bindur se me këmbëngulje dhe transparencë, me mesazhin se edhe për Greqinë është me rëndësi që Maqedonia të ketë sukses dhe të ketë fqinj stabilë dhe prosperues. Greqia është demokraci më e vjetër nga e jona, është anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe ka shumë pozicion të rëndësishëm strategjik në rajon. Mendoj se mund të luajë rol të rëndësishëm në përforcimin dhe shtyrjen e tërë rajonit në Ballkan. Është me rëndësi edhe për Greqinë ta njohë momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë”, deklaroi Dimitrov në margjinat e konferencës “Maqedonia drejt anëtarësimit të plotë në NATO” që po mbahet në Shkup.

Temë kryesore e bisedimeve me Koxiasin pritet të jenë mundësitë për zgjerim të masave për ndërtim të besimit.

“Besimi është hapi i parë drejt miqësisë edhe kjo është punë shumë e rëndësishme. Deri tani e kemi delegacionin më të madh prej 15 përfaqësuesve që sot kthehet nga Athina, ndërsa qëllimi është që të zgjerohen masat për ndërtim të besimit në më shumë fusha dhe të bëhen më reale dhe të implementohen”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se janë bërë dy hapa kyçe që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me dallimin rreth emrit, por e pasqyrojnë frymën dhe politikën e jashtme të Maqedonisë.

“Arritëm të mbyllim një çështje të hapur me Bullgarinë fqinje dhe ta shndërrojmë nga një pengesë në mbështetje për ardhmërinë e Republikës së Maqedonisë. E dyta, tërhoqëm një linjë serioze të masave konkrete në pajtim me marrëveshjen e përkohshme. Kjo Ministri dhe Qeveri i marrin seriozisht obligimet e marra, e marrin seriozisht Kushtetutën e Maqedonisë dhe do të jemi shumë parimorë dhe të fuqishëm në kontekst të daljes që na ndodhi në Kanada. Kjo vetëm do të na i përforcojë pozicionet edhe në lidhje me takimin e nesërm dhe në përgjithësi në lidhje me Greqinë”, deklaroi Dimitrov.