Deputetët opozitarë në Parlamentin e Serbisë sot i kritikuan presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë serbe në lidhje me ngjarjet lidhur me Maqedoninë dhe vlerësuan se ajo që ka ndodhur është praktikë e pazakontë diplomatike, lajmëruan mediat serbe.

“Do të ishte mirë që shërbimet kompetente të na tregojnë për çka bëhet fjalë, e jo të sulmojmë, para gazetarëve në Parlament deklaroi Sanda Rashkoviq Iviq, anëtare e grupit parlamentar ‘Serbia e Re – Lëvizja për shpëtimin e Serbisë'”.

Ajo shtoi se gjithçka që ka ndodhur e tregon papjekurinë politike të njerëzve të parë nga pushteti.

Deputeti i pavarur Jovan Jovanoviq, i cili është ish-ambasador, vlerësoi se në rastin konkret bëhet fjalë për një praktikë të pazakontë diplomatike.

Atë që ndodhi midis Serbisë dhe Maqedonisë, ai e krahasoi me situatën me “trenin” që u nis drejt Kosovës dhe pastaj u kthye mbrapa.

Sipas tij bëhet fjalë krijimin e pa nevojshëm të tensioneve, që është në kundërshtim me praktikën diplomatike.

Serbia të dielën në mbrëmje në tërësi e tërhoqi personelin e saj diplomatik nga ambasada në Shkup, pa i theksuar arsyet për këtë.