Maqedonia assesi të zgjidhë problemin e me deponitë nëpër komunat e mëdha, sidomos në komunat me shumicë shqiptare. Alsat kërkoi nga ministria e ekologjisë përgjigje se cila është strategjia e ministrisë për larguar deponitë nga komunat, por deri më tani nga ministria nuk ka asnjë përgjigje. Në të kaluarën për disa vite me radhë ministrinë për ambientin jetësor e kanë drejtuar shqiptarë, që nga Nexhati Jakupi, Abdilaqim Ademi, Nurhan Izari, Bashkim Ahmeti dhe së fundmi Sadulla Duaraku asnjëri nga prej tyre deri më tani nuk ka arritur t’i pastrojë komunat shqiptare nga hedhurinat. Ekspertët vlerësojnë që situata e këtillë është paraqitur si pasojë e mos-angazhimit të mjaftueshme nga ana e pushtetit lokal dhe atij qendror. Afrim Osmani thotë se mos pasja e vullnetit politik dhe strategjisë konkrete është shkaktari kryesore pse komunat shqiptare janë të stërmbushur me deponi të egra.

Problemi pse ekzistojnë këto deponi të egra në veçanti tek komunat shqiptare, unë do i kisha cek disa shkaqe, e para është mos interesimi dhe mos shprehja e vullnetit politik për të mirëmbajtur apo për t’i luftuar këto deponi të egra si në nivelin lokal është prezent mos interesimi dhe mos shprehja e vullnetit politik po ashtu edhe nga pushteti qendrorë. E dyta është mos pasja e një strategjie konkrete për t’i parandaluar këta deponi të egra- deklaroi ambientalisti Afrim Osmani.

Ndërsa Bllazhe Josifovski nga shoqata ekologjie “Ajde Maqedoni” thotë se nëse ky problem nuk zgjidhet, situata vetëm se do të përsëritet.

Ky problem një kohë të gjatë ka qen i injoruar, nuk ka pasur vullnet politik por as që janë ndarë mjete për tu zgjedhur si problem. Kjo do të ndodhte ose këtë vit ose vitin e ardhshëm që ky problem të del në sipërfaqe dhe të ketë aq ndikim të madh në shëndetin e qytetarëve dhe deri sa nuk zgjidhet ky problem situata e njëjtë do të na përsëritet pasi që ato janë deponi që as nuk janë sanitare dhe as nuk janë të kontrolluara- deklaroi Bllazhe Josifovski, “Ajde Maqedoni”.

Ditë më parë deponia e egër në qytetin e Tetovës u përfshi nga flakët dhe për dy ditë me radhë ngufati qytetin. Edhe pastrimi i kësaj deponie nuk zgjidh problemin me mbeturinat. Të njëjtin problem e ka edhe komuna e Strugës, djegia e deponisë dhe mos riciklimi i mbeturinave nuk ka nxitur gjetjen e një zgjidhjeje, përvec bartjes së tyre nga një lokacion në tjetrin. Situata e njëjtë është edhe për komunat tjera të banuara me shqiptarë, Gostivari i mbledh mbeturinat në Rusino, deponi që ka nxitur protesta dhe revoltë te banorët e fshatit Banjicë, ndërsa komuna e Zhelinës ka angazhuar një kompani e cila mbeturinat i grumbullon në hyrje të fshatit Debërc. Komuna e Haraçinës dhe ajo e Likovës kanë në mes një deponi të egër, ku shumë fshatra përreth ngulfaten çdo ditë nga era e keqe. Situatë jo e kënaqshme është edhe në komunën e Çairit këtu problem paraqitet grumbullimi, rrugët e ngushta mos pasja e kontejnerëve. Si pasojë, rrugët janë të mbushura me plehra./alsat-m