Kanë kaluar më shumë se një javë dhe ende nuk është realizuar paralajmërimi për furnizimin me makinerinë e nevojshme për transportin e kontejnerëve me të cilët mbeturinat nga deponia e Strugës do të barteshin në deponinë Drislla në Shkup. Vlera e këtij furnizimi pritet të kapë shifrën prej 200 mijë euro, mjete të cilat qeveria paralajmëroi se do t’i sigurojë përmes sekretariatit të përgjithshëm dhe Ministrisë së Financave. Zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski për Alsat deklaroi se në mënyrë plotësuese do ta njoftoj opinionin për datën e saktë kur do të mbyllet i tërë procesi.

Qeveria e Maqedonisë morri vendim që të ndajë 12 milion euro nga rezervat e buxhetit të cilat do të shfrytëzohen për shtypjen dhe bartjen e mbeturinave nga deponia e Strugës në vend tjetër. Për momentin janë ndërmarrë masa shtesë afatshkurta përmes të cilave do të parandalohet ndezja e deponisë. Furnizimi i mjetit për shtypje është proces që po vazhdon. Qeveria në mënyrë plotësuese do ta njoftoj opinionin për datën e saktë kur do të mbyllet i tërë procesi- njoftojnë Qeveria e Republikës së Maqedonisë.

Kryetari i Strugës, Mustafa Zabzun deklaroi se edhe më tej janë duke biseduar me qeverinë për mënyrën e shtypjes dhe bartjes së mbeturinave në lokacion tjetër. Derisa nga Nisma qytetare “Struganët për Strugën” përsëritin se nëse nuk realizohen premtimet e autoriteteve, do t’i ndërmarrin të gjitha masat demokratike që i kanë në dispozicion.

Struganët për Strugën” përmes aktiviteteve të tyre pretendojnë të ndikojnë në vetëdijen e qytetarëve për rrezikun nga kjo deponi. Në ndërkohë kërkojnë dislokimin e saj si dhe revitalizimin e tokës rreth deponisë. Ndryshe në teren tashmë disa ditë operon një kompani private për sigurim e cila bashkë me Ndërmarrjen Publike Komunale të Strugës kryejnë mbikëqyrje 24 orë në deponinë në fjalë. Për momentin deponia është shuar dhe nuk ka tym.