Ousmane Dembelé ka munguar në stërvitjen e sotme të Borussia Dortmund dhe trajneri Peter Bosz thotë se nuk ka asnjë dijeni për arsyen e mungesës.

Lojtari francez ndiqet me këmbëngulje nga Barcelona, e cila sheh tek ai pasuesin e Neymar, por deri tani klubi gjerman ka refuzuar ofertat, duke thenë se sulmuesi kushton mbi 100 milion euro.

Sipas raporteve nga Spanja, Barcelona e ka arritur tashmë marrëveshjen me lojtarin dhe mbetet për t’u bindur Borussia.

Me mungesën e sotme, spekulimet do të shtohen jashtë mase.

“Ousmane Dembelé nuk ishte në stërvitje. Nuk e dime pse. U përpoqëm ta kontaktonim, por nuk ishte e mundur. Fola me të dje dhe më tha se ishte me disa miq në Paris. Nuk më tha asgjë për ndonjë transferim”, shpjegon trajneri holandez i Dortmundit.

“Nuk pati asnjë sinjal se do të mungonte. Shpresojmë të mos i ketë ndodhur diçka e keqe”.

Dembelé u bashkua me Dortmundin verën e kaluar nga Rennes për 15 milionë euro. Javën e kaluar, shefi ekzekutiv i Borussias, Hans-Joachim Watzke, u shpreh se 100 milionë euro janë të pamjaftueshme për të. Watzke nuk përmendi asnjë çmim për francezin, por zëra të pakonfirmuar thonë se klubi i Bundesligës kërkon 135 milionë euro.