Një delegacion i Misionit të OSBE-së në Shkup, i përbërë nga Gonzalo de Çezare, Sara Barbieri dhe Tatijana Temellkovska, realizuan mbledhje punuese me drejtorin e Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive (ARDB) Ilhan Rahman dhe zëvendës drejtorin Xhelal Hoxhiq.

Siç kumtuan nga Agjencia, në mbledhjen punuese është arritur marrëveshje që Agjencia për realizimin e të drejtave të bashkësive dhe misioni i OSBE-së në Shkup veçmë javën e ardhshme të formojnë komision të përbashkët, i cili duhet të përgatis Memorandum për bashkëpunim dhe mirëkuptim. U bisedua edhe për nevojën për përtëritje të Forumit participativ të bashkësive nën 20 për qind, si dhe nevojën për bashkëpunim në aktivitete tjera.

“Drejtori Rahman dhe zëvendësdrejtori Hoxhiq delegacionit të misionit të OSBE-së në Shkup ua prezantuan vizionin e tyre për ngritjen e dukshmërisë së ARDB-së. Në mbledhjen punuese u sqarua edhe nevoja për përgatitje  të rregullt të analizave nga sfera e arsimit, kulturës, përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, përdorimit të gjuhëve të bashkësive, si dhe përmirësimin e konsiderueshëm të bashkëpunimit me organizatat qytetare të cilat punojnë në sferën e avancimit të të drejtave të bashkësive”, thuhet në kumtesë.