Matteo Darmian nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Manchester United, José Mourinho, i cili dëshiron ta shesë para mbylljes së merkats së verës.

Mbrojtësi i djathtë italian nuk arriti ta bënte për vete portugezin në sezonin e tij të parë në krye të United.

Antonio Valencia ishte titullari, ndërkohë që klubi po përpiqet të marrë mbrojtësin e Paris SG, Serge Aurier.

Megjithatë, Darmian duket se nuk do të ketë problem për të gjetur një skuadër tjetër, madje me mjaft ambicie, pasi Barcelona dhe Bayern po shohin mundësinë për 27-vjeçarin. Të dyja skuadra janë në kërkim të zëvendësuesve të denjë pas largimit të mbrojtësve të tyre legjendarë në krahun e djathtë. Barcelona ende nuk ka arritur ta zëvendësojë si duhet Dani Alves, i cili u largua vjet te Juventus dhe tani është te Paris SG.

Bayern, i cili e ka kërkuar italianin që kur ai luante me Torinon, kërkon zëvendësuesin e ish-kapitenit Phillip Lahm, i cili la futbollin në fund të sezonit të kaluar.