Republika e Serbisë dëshiron edhe më tej të mbajë marrëdhënie miqësore me Republikën e Maqedonisë dhe nuk dëshiron të hyjë në lojëra të ndryshme.

Këtë e tha ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov sot në Nish, ku paraprakisht realizuan takim.

“Dëshiroj ta porosis popullin e Maqedonisë se nga veriu, nga Republika e Serbisë nuk i kanoset kurrëfarë rreziku. Republika e Serbisë nuk ka për qëllim të kontestojë diçka që është e lidhur me Republikën e Maqedonisë, as shtetin, as kombin, as diçka tjetër”, tha Daçiq.

Ai shtoi se komunikimi mes dy shteteve do të vazhdojë edhe më tej dhe theksoi se kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev është ftuar ta vizitojë Beogradin.

Ai paralajmëroi se sërish do të realizojnë takim në kuadër të Forumit të Bledit që do të mbahet më 4 dhe 5 shtator të këtij viti.

Daçiq tha se personeli në Ambasadën serbe në Shkup u kthye dhe se pritet që më 31 gusht të kthehet edhe ambasadoja e cila menjlherë do të kërkojë takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin Nikolla Dimitrov.