Pas paralajmërimit të Shkupit zyrtar se e ndryshon qëndrimin për përmbajtshmëri gjatë votimit për anëtarësim të Kosovës në UNESKO, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq porositi se edhe Serbia mund ta ndryshojë qëndrimin e vet për çështjen e emrit të Maqedonisë.

“Nëse Maqedonia me të vërtetë voton për pranimin e Kosovës në UNESKO, edhe pse e vetëdijshme sa kjo i prek Serbinë dhe popullin serb, presidentit Vuçiq do t’i propozoj që Serbia lidhur me emrin me të cilin e pranojmë Maqedoninë, po ashtu, si edhe ata rreth Kosovës në UNESKO, ta ketë parasysh pozitën e Bashkimit Evropian”, tha Daçiq.

Në deklaratë për Tanjugun, ai tha se paralajmërimi i Shkupit zyrtar se do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në UNESKO, duke e marrë parasysh pozitën e shumicës së vendeve anëtare të BE-së, “është drejtpërdrejtë në kundërshtim me të gjitha deklaratat e deritanishme të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, se Maqeodnia do të jetë e përmbajtur”.

Ndryshimi i qëndrimit, tha shefi i diplomacisë serbe, “drejtpërdrejtë do të ndikojë në marrëdhëniet e mira tona fqinjësore”, tha Daçiq.