Politologu i njohur Afrim Krasniqi ka publikuar sot një ‘skandal’ në lidhje me një prej kandidatëve që ka fituar në zgjedhjet e 25 qershorit dhe do të jetë serish deputet në Parlamentin e Shqipërisë duke nisur që nga muaji shtator.

Arsimi i vetëm i tij është një universitet në Strugë, ndërsa shkrimi lë shumë për të dëshiruar.

Shkrimi

Kemi zgjedhur parlamentin e ri. Jemi vend në NATO e duam të shkojmë në BE. Palët flasin se “po bëjmë shtet” apo “republikë të re”, por e dini kush merr e do të marrë vendime për ne? Ja njëri prej tyre. Prej vitesh vitesh është një prej 20-25 politikanëve më të rëndësishëm në Shqipëri, deputet, ministër, kryetar bashkie.

Është rizgjedhur deputet dhe në shtator do ta kemi përsëri aty, “në tempullin e demokracisë”. Thotë se di dy gjuhë të huaja dhe me siguri njërën prej tyre e di. Thotë se ka përvojë politike dhe me siguri ka sepse ka pasur e ka poste të larta politike.

Pjesa më interesante është tek deklarimi në KQZ me shkrimin e tij origjinal mbi arsimimin:

• Thotë se ka mbaruar “fakukteti” dhe me siguri ka dashur të thotë “fakulteti”!

• Thotë se bëhet fjalë për “fakulteti ndërkombëtar” dhe me siguri duhet të jetë i vetmi “fakultet ndërkombëtar në botë”!

• Thotë se fakulteti ndërkombëtar ku është diplomuar është “i shkencave juridike” dhe duke hequr pjesën e parë e dyta mund të jetë e saktë.

• Por ama në fund na ndihmon me të dhënat për të zbuluar se “çfarë ka dashur të thotë autori”

kur thotë se ky fakultet, pra fakulteti ndërkombëtar i shkencave juridike është në Strugë. Bëhet fjalë për Strugën në Maqedoni dhe në Strugë Maqedoni ka vetëm një universitet dhe ai quhet “Universiteti Ndërkombëtar i Strugës”. Me siguri, pra VIP ynë politik ka ngatërruar fjalën “fakultet”, me fjalën “universitet” dhe me fjalën “ndërkombëtar” duke krijuar emërtimin inekzistent: “fakulteti ndërkombëtar”.

• Shkojmë edhe më tej: në këtë universitet sipas faqes zyrtare, ka një fakultet që duhet “fakulteti i drejtësisë”, por nuk ka emërtim “i shkencave juridike”. Me siguri, politikani ynë VIP i ka ngatërruar edhe këto terma.

Ndofta nga kujtesa e lehtë, ndofta nga koha e largët kur ka marrë diplomën, ndofta për një arsye tjetër që mund ta mendojmë por nuk kemi (ende) provë ta themi!

A ka këtu diçka që nuk shkon? Jo, nuk ka vetëm diçka, sepse ky do ishte halli ynë më i vogël. Problemi është se ka shumë gjëra që nuk shkojnë …. edhe në këtë deklarim, edhe në këto zgjedhje, edhe në këtë parlament, edhe në këtë politikë, edhe në këtë shtet edhe në këtë shoqëri.

Ai është i pasur, i pushtetshëm, i rizgjedhur, i fuqishëm, “i zoti” për standardet tona dhe, ashtu si dje, edhe sot, edhe nesër, me “votat” tona i është dhënë e drejta të marrë vendime për ne, vendime që kanë qenë, janë e natyrisht që do të jenë po kaq të sakta sa të dhënat që ai jep për arsimimin e tij.