Lufta ka nisur, por deri tani vetëm me fjalë e kërcënime. Donald Trump betohet “për zjarr e zemërim siç nuk e ka parë kurrë bota” mbi Korenë e Veriut, ku lideri Kim Jong-un thotë se e ka vënë Amerikën në shënjestër të raketave të tij bërthamore.

Në të vërtetë, jo territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ishullin e Guamit.

 Çfarë është Guami dhe pse e kërcënon Koreja e Veriut?

Guami është një ishull në perëndim të oqeanit Paqësor, territor sovran amerikan me sipërfaqe 544 kilometra katrorë, i përdorur nga SHBA si bazë ushtarake strategjike. Pothuajse një e treta e sipërfaqes kontrollohet nga ushtria amerikane dhe atje janë të dislokuara rreth 6 mijë trupa.

Vendndodhja e ishullit, brenda rrethit të raketave koreanveriore me rreze të mesme e të gjatë, si dhe rëndësia e madhe ushtarake për SHBA, e bëjnë Guamin një objektiv logjik për Phenianin.

Të hënën, dy bombardues B-1B të forcave ajrore amerikane fluturuan nga Guami për t’u bashkuar me homologët japonezë e koreanojugorë për një mision mbi gadishullin korean, 3400 km larg.

Cili është kapaciteti nuklear i Koresë së Veriut?

Që nga viti 2006, Koreja e Veriut ka kryer pesë teste bërthamore, ndaj pa dyshim që e ka kapacitetin për të krijuar ndonjë lloj bombe bërthamore.

Megjithatë, që të funksionojë efektivisht, bomba duhet të jetë mjaftueshëm e vogël që të futet në një raketë. Disa ekspertë besojnë se Veriu tashmë ka arritur ta zvogëlojë bombën, të tjerë thonë se është ende disa vjet larg. Ministria e Mbrojtjes e Japonisë paralajmëroi dje se kishte mundësi që Pheniani ta kishte kapërcyer problemin e minimizimit.

Më tej, Koreja e Veriut ka nevojë edhe për një sistem të besueshëm lëshimi për bombat. Është provuar që raketat me rreze të shkurtër e të mesme mund të arrijnë Korenë e Veriut dhe Japoninë. Në korrik, kreu dy dy teste me raketa balistike interkontinentale, duke vënë qytetet amerikane brenda rrezes së një sulmi të mundshëm, sipas ekspertëve amerikanë.