55 policë çekë nisën të hënën misionin në Maqedoni dhe Serbi, ku do të ndihmojnë në mbrojtjen e kufijve të të dy vendeve, njoftoi zv.kreu i policisë çeke, Petr Petrik.

Petrik tha se 40 nga policët çekë do të vendosen në Maqedoni, ku do ta ndihmojnë atë për mbrojtjen e kufirit me Greqinë. 15 policët e tjerë do të vendosen në Serbi për të mbrojtur kufirin serbo-bullgar.

Kjo është hera e 12-të që policia çeke asiston në misione në Maqedoni dhe hera e 4-t në Serbi, njofton CRI. Grupi i policëve do të rikthehet në vend në mes të shtatorit. Petrik bëri të ditur se misionet jashtë vendit do të vazhdojnë dhe kjo skuadër do të zëvendësohet nga një tjetër më 11 shtator.

Sipas Petrik, këto misione janë të dobishme për policinë çeke për përvojën që fiton jashtë vendit, gjë që është “shumë e vlefshme.” Policia çeke nisi misione të tilla në vitin 2015, kur shpërtheu kriza e refugjatëve.