Raportimi mbi shpenzimet e buxhetit në Qytetin e Shkupit sërish i ka gjetur të pakënaqur këshilltarët shqiptarë që sipas tyre nuk kënaq pritjet e shqiptarëve.

Këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit Qemal Musliu ka thënë se kur të shihet se sa është realizuar deri tani, “duhet të jemi të kënaqur pjesërisht”.

“Sinqerisht me buxhetin të cilën e sollëm në dhjetor të vitit të kaluar ishim të kënaqur për arsye se vetëm në pjesën e urbanizmit parashiheshin rreth 23 projekte posaçërisht flasë për këto viset ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo, me realizimin e këtij buxheti, mund të themi se pjesërisht mund të ngelemi të kënaqur për arsye se kemi pritur që këto projekte të kanë një dinamike më të madhe të realizimit, megjithatë unë kisha folur për projektet të cilat u realizuan, disa janë në fazën e realizimit veçanërisht disa rrugë në komunën e Sarajit, në komunën e Butelit, të Shuto Orizarës, në komunën e Gazi Babës, në lagjen e Hasanbegut, ndërsa në komunën e Çairit është realizuar projekti  i kanalizimit atmosferik në rrugën Xhon Kenedi”, tha për Medial.mk, Musliu.

Kurse, për Idriz Oranën këto pyetje duhet parashtruar atyre të cilët janë në qeverisjen lokale, që sipas tij duhen dhëne llogari sesa kanë bërë për shqiptarët.

“PDSH në të gjitha buxhetet key pasur vërejtje dhe propozimet e tyre të cilat fatkeqësisht nuk kanë qenë të përkrahura nga ana e këshilltarëve të BDI-së, parti kjo e cila në nivel qendror është në koalicion me LSDM, kurse në Qytetin e Shkupit vazhdon të mban koalicionin me VMRO-DPMNE.  Dhe e dimë se fajin e kanë të përbashkët si VMRO-ja si BDI-ja për kushtet ku janë shqiptarët”, tha Orana nga PDSH.