Mehmet Bogujevci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, ka deklaruar se xhudistja Majlinda Kelmendi, është frymëzim për të gjitha sportet. Ai tha se është e jashtëzakonshme të shpallesh “Xhudistja më e mirë e sotme në Botë” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos. Një çmim që vështirë fitohet, por kjo u arrit falë sukseseve brilante të Majlindës. “Ky sukses i Majlindës, është maja e majës. Më andej nuk ka ku shkon. Është ylli i xhudos, ka arritur gjithçka që mund të arrihet: kampione e Evropës, e Botës dhe Olimpike.

Këto tituj ia vulosin vlerat. Pritet të bëhet edhe kampione për herë të tretë e botës”, tha Bogujevci.  Ish nënkampioni i botës në boks për amatorizëm në vitin 1978,  tha se rrallë lindin sportiste si Majlinda. “Është një sportiste që rrallë lind dhe lum ne që e kemi. Tanë anët e botës e përmendin Majlindën dhe Kosovën. Besojmë se do të fitojë titullin e tretë rresht të botës, do të ketë edhe medalje tjera nga garuesit tjerë. Është punë e mrekullueshme që po bënë Driton Kuka me Federatën e  Xhudos. Kuka një trajner botëror, ka treguar rezultate të mëdha me Majlindën. Ka bërë edhe përvojën e madhe ndërkombëtare, nuk ka kamp botëror që nuk ftohet me mbajt ligjërata dhe stërvitje. Kështu që Driton Kuka i ka arritur majet botërore si trajner.

Ka treguar vlerën e vet, ka bërë një Majlindë kampione dhe ka bërë edhe tjera garuese, si Nora Gjakova, Distria Krasniqi etj. të cilat janë në rrugën e Majlindës. Edhe këta djem si xhudisti Akil Gjakova, po ashtu edhe Fatos Tabaku, si trajner po e mëson zanatin nga një mjeshtër i madh siç është Driton Kuka. Kuka pos që është trajner i madh, po lë pas vete edhe pasardhës të mëdhenj, që është shumë me rëndësi për jetëgjatësinë e kampionëve dhe nivelin e lartë të xhudos. Ata janë bërë një ekip i fortë në krye me  kryetarin Agron Kukaj, gjithashtu një ekip i njerëzve profesionist, përveç që kanë mbështetje maksimale nga shteti kanë edhe mbështetje nga shumë sponsorë. Kur ka mjete nuk mungojnë edhe rezultater”, tha Bogujevci për gazetën kombëtare