Deri në fund të muajit korrik rezervat devizore kapin vlerën e përgjithshme prej 2.273.300.000 euro. Kështu tregojnë të dhënat e fundit për bilancin pagesor të Bankës Popullore të Maqedonisë për 7 muajt e parë të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Rezervat revizore, sipas të dhënave të BPM-së, krahasuar me një muaj më parë janë më të ulëta për 126 milionë euro, ndërkaq krahasuar më periudhën e njëjtë të viti të 2016 për periudhën janar-korrik të këtij viti rezervat devizore janë ulur për 314 milion euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin vlerën prej 2.588.200.000 euro.

Gjithashtu, gjatë shtatë muajve të parë në arkën e BPM-së rezervat e arrit kapin vlerën e përgjithshme prej 239.000.000 euro dhe krahasuar me periudhën janar–korrik të vitit 2016, kur vlera e arit kishte shifrën totale prej 262.400.000 euro, është shënuar ulje e sasisë së arrit për 2.1 milionë euro. Të dhënat e fundit zyrtare të BPM-së njëherit tregojnë se edhe letrat me vlerë deri në fund të muajit korrik të këtij viti kanë arritur shifrën prej 1.840.700.000 euro, ose 58,4 milionë euro më shumë se muaji paraprak, mirëpo nëse krahasohen me periudhën e njëjtë të viti të kaluar, letrat më vlerë janë më të ulëta për 230 milionë euro. Ulje drastike në 7 muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të BPM-së, kemi edhe sa i përket valutave dhe depozitave të huaja. Përfundimisht me muajin korrik të viti 2017 në llogarinë e valutave dhe depozitave të huaja janë të regjistruara 189.300.000 euro, ose 182,8 milionë euro më pak krahasuar me muajin paraprak-qershorin, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016 llogaria e valutave dhe depozitave është më e ulët për 60.4 milionë euro.

Po ashtu, sipas këtij raporti të BPM-së për bilancin pagesor, rritje kanë remitencat e emigrantëve të cilat për 5 muajt e parë të këtij viti kapin shifrën totale prej 144 milionë euro, apo krahasuar me muajin paraprak-prillin, mërgimtarët drejt familjeve të tyre në Maqedoni kanë dërguar 15 milionë euro më shumë. Po të krahasojmë periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, të dhënat e BPM-së tregojnë se shtetasit e Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të afërmeve të tyre këtu u kanë dërguar 30 milionë euro më shumë para. Ndryshe, në maj të viti 2016 remitencat e qytetarëve kapnin shifrën prej 115 milionë euro. Ndërkaq, sa i përket borxhit publik bruto, pa borxhin e bankës qendrore, deri në fund të muajit mars të këtij viti ai ka arritur shifrën prej rreth 7.5 miliardë eurove.