Grupi i dytë prej 168 besimtarëve nga Maqedonia janë nisur nga aeroporti “Aleksandri i Madh” në Shkup për në tokat e shenjta në Arabinë Saudite për të kryer një ndër pesë kushtet e Islamit, Haxhin, raporton AA.

Këtë vit nga Maqedonia nisen 800 besimtarë, ndër të cilët më i riu është një tre vjeçar, ndërsa më i moshuari mbi 70 vjeç. Grupi i parë me 180 besimtarë u nis mbrëmë pas mesnate, ndërsa pas grupit të sotëm prej 168 besimtarëve, gjatë ditës së nesërme do të nisen edhe tre grupe të tjera të ndarë sipas qyteteve nga vijnë.

Koordinator i grupit të dytë të haxhinjve, Xhemil Mehmeti, theksoi se viteve të fundit numri i grave që shprehin dëshirë për të kryer Haxhin është në rritje. Ai shtoi se këtë vit në grupin e tij numri më i madh i haxhinjve janë gra.

“Prej numrit të tyre më tepër se gjysma janë gra, që kohëve të fundit është një fenomen që duhet theksuar. Pra, kjo e bën të qartë mënyrën e organizimit, veçanërisht tek popullata jonë fetare se sa i konsiderojnë motrat, gratë dhe vajzat tona për kryerjen e këtij obligimi fetar”, tha Mehmeti.

Halime Ibrahimi-Shasivari, 43 vjeçarja nga Tetova, e cila për herë të parë ishte në Haxh para 25 viteve, theksoi se është kënaqësi të vizitohen tokat e shenjta, si dhe falënderon All-llahun që një gjë e tillë i mundësohet për herë të dytë.

“Është kënaqësi e veçantë që ma mundësoi Zoti që pas 25 viteve përsëri të jem mysafirë i All-llahut dhe vizitore e Qabes së ndershme. Këtë vit kemi një numër të madh të haxhinjve dhe është kënaqësi të udhëtosh me një numër të këtillë të besimtarëve, t’i shohësh ndjenjat dhe emocionet e tyre, që tashmë kanë filluar”, u shpreh Shasivari.

Po ashtu, edhe Xhemal Mehmeti nga Likova e Kumanës do të vizitojë Qaben për të katërtën herë, por kjo herë ai do të jetë bedel (i autorizuar për të kryer Haxhin për dikë tjetër). “Kënaqësinë unë e kam përjetuar tre herë, kjo është e katërta. Ajo nuk përshkruhet me fjalë, ajo është diçka e veçantë. Vetëm ai që udhëton mund ta ndjejë kënaqësinë”, tha ai.

Çmimi për kryerjen e kushtit të pestë të Islamit për besimtarët muslimanë nga Maqedonia është 3.900 dollarë amerikan. Ata do të udhëtojnë me linjën ajrore Shkup-Jedahh, ndërsa kthimi do të jetë më 9 shtator nga Medina në Shkup.