Ministria e Ekonomisë ka shpalosur lajmin e mirë për qytetarët me të ardhura të ulëta. Në fakt, në bazë të rebalancit të Buxhetit të Maqedonisë, në programin e Ministrisë së Ekonomisë janë siguruar fonde në vlerë prej 60 milion denarë për mbështetjen e turizmit vendas, pra për punëtorët me të ardhura të ulëta.

“Me propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria, vetëm një javë pas kthimit të tarifës së lirë për energji elektrike, miratoi edhe një masë me të cilën punëtorëve me të ardhura mujore deri në 22 mijë denarë u mundësojmë shfrytëzimin e pushimit vjetor jashtë sezonit, në qendrat turistike të Republikës së Maqedonisë, vetë ose me anëtarë të familjes së ngushtë në vlerë totale prej 15 mijë denarë.

Me këtë masë, përveç punëtorëve, përfitojnë edhe qendrat turistike dhe hotelet, të cilët menjëherë pas përfundimit të sezonit të verës, punojnë me kapacitet minimal, dhe në këtë mënyrë u ndihmojmë atyre në rritjen e numrit të pushuesve jashtë sezonit turistik”, ka thënë në pres konferencën e sotme për gazetarë, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, njofton Medial.mk.

Gjithashtu me këtë masë, shton ai, “do të arrihet një balancim mes numrit të turistëve vendas dhe të huaj, sepse sipas të dhënave statistikore, numri i turistëve të huaj ka shënuar rritje në krahasim me numrin e turistëve vendorë i cili ka një rritje të ngadalësuar”.

Në bazë të Programit, Ministria e Ekonomisë në ditët në vijim do të shpallë dy thirrje publike: një për interesin e objekteve hoteliere që do të marrin vërtetimet nga Ministria e Ekonomisë dhe një thirrje tjetër për marrjen e një vërtetimi për organizimin e një pushimi. Thirrjet publike do të publikohen në gazetat ditore dhe ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të mund të gjenden edhe informacione të tjera më të hollësishme. Pushimi do të organizohet në qendrat tona turistike jashtë vendbanimit ku jetojnë aplikuesit ne periudhë qëndrimi jo me shumë se 5 ditë. Dhënia e vërtetimeve do të bëhet nga Ministria e Ekonomisë sipas parimit I PARI APLIKON, I PARI SHËRBEHESH.

Morëm përgjegjësi dhe ja –po e realizojmë!

“Fillimisht iu ndihmojmë kategorive më të rrezikuara të punëtorëve që edhe familjet e tyre ta ndjejnë gëzimin që sjell pushimi vjetor! Zbatojmë politika ekonomike në funksion të nevojave të qytetarëve dhe mundësojmë që Republika e Maqedonisë fuqishëm të ec përpara drejt ardhmërisë ekonomike me prosperitet dhe drejt shoqërisë së përgjegjshme shoqërore!”, ka thënë ministri Bekteshi.