Dy muaj pas zgjedhjeve, në Partinë Demokratike flitet njësoj si në kohën e Çadrës. Për çdo rast hidhen akuza me banda, para të drogës dhe segmente të krimit të lidhura me qeverinë, që vodhën, blenë dhe bënë presione për votën.

Për Bashën, largimi i ministrave teknikë nga qeveria shenjon dhe fundin e muajit të parë të mjaltit me Ramën. Që akoma nuk kemi parë asgjë nga flirti i 17 majit e kanë pranuar të dy, njëri me deklarata të hapura e tjetri me heshtjen e tij.

Marrëveshja me Ramën nuk do të zbardhet ndonjëherë e plotë, por deri tani ka vetëm një të humbur, dhe ai është në opozitë. Vetë fjalori që përdor sot PD për vjedhjen e zgjedhjeve është prova e dështimit të ministrave dhe drejtorëve teknikë.

Si dhe pse e besoi Lulzim Basha Edi Ramën nuk dihet ende, por shikoni si fliste ai për ministrat teknikë 3 muaj më parë. Në një takim në Shkodër, në 1 qershor, Basha i quante “garancia e zgjedhjeve”.

“Sot anembanë Shqipërisë, zuzarët dhe matrapazët e dinë se marrëveshja u bë se e detyruat ju. T’i lërë broçkullat që demokratët qenkan të mirë dhe unë qenkam djalë i mirë se u zmbraps kur pa vendosmërinë tonë, vendosmërinë tonë për të mos u zhvilluar zgjedhje farsë. Ministrat teknik janë garant të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, shprehej Basha asokohe. Ishte koha kur Rama e quante Bashën “çun i mirë” dhe ky bënte çmos të përmbante entuziazmin e marrëveshjes. Vlerësimet për ministrat sot duken qesharake, në mos llogjika e tyre fshihet në anën e errët të paktit të 17 Majit.