Xhemal Mustedanagiç beson se Keidi Bare është futbollist më i mirë se sa ylli i Real Madridit, Luka Modric

Trajneri i kombëtares shqiptare të 17-vjeçarëve, Xhemal Mustedanagiç vlerësoi ngjitjen e shpejtë të Keidi Bares në futbollin evropian.

Talenti që po spikat me Atletikon e Madridit ishte objekt i vlerësimit të teknikut që e ka patur më parë në seleksionet e moshave. Sipas Mustedanagiç, Bare është madje më i mirë se Luka Modriç, një lojtar që e ka stërvitur te Dinamo e Zagrebit.

“Unë kam stërvitur si Keidi Baren, ashtu dhe një talent si Luka Modriç dhe mendoj se në moshën aktuale, Bare është më i mirë se Modriç. Ai është një reklamë e mirë për futbollin shqiptar”, tha Mustedanagiç, shkruan Top Channel.

Trajneri nga Bosanski Novi kërkoi më shumë vëmendje për ekipet që furnizojnë ekipin A: “Për kombëtaren e 17-vjeçarëve nuk është ende ajo rëndësi e mjaftueshme, por këtu duhet vëmendje sepse hidhen themelet për kombëtaren A”.

Kazakistani është një turne i fortë sepse këto shtete investojnë shumë për brezat e rinj. Në këto momente kemi pak probleme pasi 4-5 futbollistë nuk janë lejuar nga klubet që të luajnë me Shqipërinë. Por, këtë e quaj një shans më shumë për të provuar lojtarë të rinj që mund t’i përdor edhe në kualifikuese”.

Ndeshja e parë e 17-vjeçarëve shqiptarë në eliminatore do të jetë në Kroaci: “Kroacia ka futbollistë që luajnë më tepër se 4-5 vite bashkë, madje mbi 10 prej tyre luajnë me Dinamon e Zagrebit, pra njihen shumë mirë mes tyre. Për Spanjën është e kotë të flasim, pasi dihet cilësia e kësaj skuadre dhe të gjithë lojtarët janë në majat e futbollit”.

Shqipëria bën pjesë në grupin e dytë, së bashku me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. Ndeshjet e këtyre kualifikueseve të Kampionatit Europian U17 do të zhvillohen në datat 19, 22 dhe 25 tetor 2017 në vendin tonë.