Dorëzohet Liverpool. Philipe Coutinho merr rrugën e Barcelonës. Përpara dëshirës së futbollistit dhe milionave që vinë nga Spanja, Jurgen Klopp nuk mund të bëjë dot asgjë edhe pse trajneri gjerman kërkon me ngulm të evitojë largimin e yllit brazilian.

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e Philipe Coutinhos dhe gjasat janë që 25-vjeçari të firmosë me Barçën.

U largua një brazilian, por vendin e tij te blaugranat pritet ta marrë një tjetër lojtar nga vendi i Sambas.

Mediat që qëndrojnë pranë Barcelonës bëjnë me dije se Liverpooli ka dhënë tashmë “OK”-in për kalimin e Coutinhos te katalanasit.

Shifra që Barcelona pritet të derdhë në arkat e klubit të kuq për kartonin e brazilianit do të jetë më e lartë se 100 milionë euro. Për Liverpoolin do të jetë shifër e jashtëzakonshme, sepse në 2012-tën, “Reds”-at shpenzuan vetëm 11 milionë euro për të blerë kartonin e Coutinhos nga Interi.