Në Australi u parandaluan 2 sulme terroriste, të cilësuara nga policia si më të sofistikuarat e planifikuara ndonjëherë në këtë vend.

Siç mësohet, dy persona me vendbanim në Australi, me ndihmën e ISIS-it do të bombardonin një avion pasagjerësh e do të ndërmerrnin një sulm të mundshëm me gaz helmues. Zëvendëskomisari i Policisë Federale, Michael Phelan tha gjatë një konference për shtyp se një komandant i lartë i ISIS-it kishte dërguar eksplozivë e materiale të tjera me një avion mallrash nga Turqia, për të mundësuar ndërtimin e një pajisjeje të improvizuar shpërthyese.

Por, dy të dyshuarit të identifikuar si Khaled dhe Mahmoud Khayat nuk kishin arritur të fusnin pajisjen shpërthyese në një avion që do të nisej nga Sidnej në 15 korrik. Edhe skema tjetër për lëshimin gaz toksik në publik nuk u vu dot në jetë për shkak të pamundësisë për prodhimin e gazit vdekjeprurës.

“Bëhet fjalë për planin më të sofistikuar për sulme terroriste në tokën australiane. Nëse nuk do të kishte qenë për punën e mrekullueshme të agjencive të zbulimit dhe sundimit të ligjit do të ishim përballur me një ngjarje katastrofike”, tha Michael Phelan.

Pas dështimit të planit të parë për bombardimin e një avioni, dy atentatorët u angazhuan për krijimin e një pajisje kimike që do të lëshonte sulfur hidrogjeni, e megjithatë, sipas policisë, skema ishte larg realizimit kur policia ndërhyri të shtunën. Ndaj dy burrave, të cilët u arrestuan të shtunën gjatë bastisjeve të zhvilluara në periferi të Sidneit, u akuzuan për përgatitjen ose planifikimin e një sulmi terrorist. Nëse do të shpallen fajtorë, mund të dënohen me burgim të përjetshëm./TCH