Asensio beson se Ronaldo nuk e ka merituar të suspendohet me pesë ndeshje nga Federata e Futbollit të Spanjës.

Cristiano Ronaldo do të mungojë edhe katër ndeshje të tjera, pas veprimit që bëri në “El Clasico”, duke shtyrë gjyqtarin pas kartonit të kuq, derisa një ndeshje tashmë ka vuajtur dënimin, në fitoren prej 2:0 ndaj Barcelonës.

Por, i riu i Real Madridit, Marco Asensio, thotë se CR7 nuk ushtroi agresion ndaj gjyqtarit dhe ka kërkuar nga të gjithë që të kenë kujdes pasi sipas tij, “Cristiano është më i fortë kur e lëndoni”.

“Cristiano është i shkëlqyer, një ndër njerëzit më të fortë që kam njohur. Suspendimi është dënim i rëndë për të, por edhe për gjithë ekipin sepse kemi humbur lojtarin më të mirë për disa javë”, tha fillimisht Asensio.

“Nëse shikon xhirimet, është e qartë se ai nuk simuloi dhe nuk është dashur të ndëshkohet. Po ashtu ai nuk ishte agresiv në gjyqtarin dhe për ato lloj gjestesh nuk besoj se është dashur të suspendohet”.

“Ai ka mbështetjen e të gjithëve. Por, duhet të keni kujdes, pasi Ronaldo është më i mirë kur e lëndoni”, shtoi mes tjerash Asensio.