Në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është arrestuar Riad K. (26), shtetas i Serbisë, nën dyshimin se ka vjedhur një milion euro në Gjermani.

Siç shkruajnë mediat gjermane, ai është arrestuar derisa po tentonte që të kalonte këmbë në territorin e Serbisë.

Ai për shkak të vjedhjes spektakulare brenda natës ishte shndërruar në njërin nga personat më të kërkuar në Gjermani, pasi vodhi një milion euro nga një veturë të cilën e voziste për kompaninë e sigurimeve “Prosegur”, ku ishte i punësuar, transmetojnë mediat serbe.

Besohet se Riad në këtë vjedhje të paparë ka pasur edhe bashkëpunëtorë.

Riad K. të enjten në mëngjes, si zakonisht, me dy kolegët e tij, në automjetin e blinduar të firmës “Prosegur”, kishin shkuar deri te banka për të marrë paratë.

Ai ka qëndruar në automjet derisa dy kolegët e tij morën paratë në thasë specialë, të cilat i kanë vendosur në automobil. Pas kësaj, Riad K. ka ndezur furgonin dhe ka ikur me të gjitha paratë e bankës.  Pas një vozitjeje prej 400 metrash nga vendi i ngjarjes ku kishte lënë dy kolegët e tij, 26-vjeçari nga Serbia ka fshehur furgonin në një parking që nuk dukej nga rruga kryesore dhe është zhdukur.  Aty besohet se ai është ndihmuar edhe nga një person tjetër për të marrë paratë nga furgoni i blinduar.

Gazeta gjermane “Bild” shkruan se hajni është me origjinë nga Serbia perëndimore, ndërsa kompania e sigurimit “Prosegur” nuk ka komentuar incidentin.