Policia italiane ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, në banesën e tyre gjetur një sasi prej 4.6 kg heroinë e pastër.

Gjatë kontrolleve të shpeshta të anti-drogës në ndalesat e autostradës në provincën e Brescias, dhe në mënyrë të veçantë në atë të Sirmiones, policia kishte vënë re një autoveturë të dyshimtë që lëvizte shumë herë si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Makina ishte në emër të një 40-vjeçari shqiptar, rezident në Cremona dhe i dënuar më parë për krime kundër personit dhe pasurisë, ndërsa në timon ishte një djalë i ri në moshë.

I riu frekuentonte një banesë në Castelverde, që ishte marrë me qira nga pronari i makinës. Në veçanti, i riu shkonte në shtëpi ndërkohë që tjetri ishte në punë. Sjellja e tij ka sjellë jo pak dyshime, çka ka bërë që policia t’i marrë nën mbikëqyrje.

Më 31 korrik, është vënë re një lëvizje e dyshimtë e të riu, edhe ai me origjinë shqiptare dhe Guardia di Finanza ka hyrë në banesë, duke evidentuar se shtëpia përdorej si laborator për përpunimin dhe paketimin e drogës.

Në brendësi janë gjetur 30 kg substancë përzierëse, mjetin për paketimin e drogës si dhe 4.6 kg heroinë shumë të pastër, të ashtuquajtur ‘të zezë’, e cila është tepër e kërkuar dhe e shtrenjtë.

Falë bashkëpunimit të Skuadrës së Lëvizshme të Policisë së Shtetit në Cremona, u bë edhe arrestimi i shqiptarit tjetër. Gjithashtu janë sekuestruar dy makina të përdorura nga 2 shqiptarë si dhe para cash që dyshohet se kanë ardhur nga aktiviteti i paligjshëm.