Arabia Saudite do të hapë kufijtë me Katarin për të mirëpritur të gjithë besimtarët nga vendet e Gjirit Arab që të marrin pjesë në pelegrinazhin e Haxhit që fillon këtë muaj.

Ky ka qenë hapi i parë drejt thyerjes së akullit mes të dy vendeve fqinje të Lindjes së Mesme, që kur Arabia Saudite dhe tre shtete të tjera ndërprenë të gjitha lidhjet me Dohan zyrtare në qershor, duke e akuzuar për mbështetje të grupeve ekstremiste.

Përmes një deklarate nga agjencia zyrtare saudite e lajmeve, kufiri në Salwa do të hapet për qytetarët e Katarit duke u mundësuar pjesëmarrjen në pelegrinazh. Ata mund të kalojnë pa u pajisur me ndonjë leje të veçante.

Ky lajm ka ardhur, pas një takimi që është mbajtur me trashëgimtarin e fronit të Arabisë Saudite, Princin Mohammed Bin Salman dhe sheikun e Katarit, Jassim al-Thani.

Katari i ka akuzuar sauditët për politizim të Haxhit, duke shprehur shqetësime rreth pengesave që po hasin banorët e Katarit për të qenë pjesë e pelegrinazhit të këtij viti.