Procedurat e shkurorëzimit janë ndalur për Angelina Jolien dhe Brad Pittin, kanë pohuar shokët e yjeve të filmit.

Burime të ndryshme i kanë thënë revistës “Us Weekly” se ish-çifti nuk kanë vazhduar përpara me procedurat për t’i dhënë fund martesës së tyre.

“Shkurorëzimi është ndalur. Në muajt e fundit ata nuk kanë bërë asgjë për të vazhduar përpara dhe nuk mendoj se do të vazhdojnë këto procedura”, ka thënë një burim për çiftin që u nda në muajin shtator të vitit 2016.

Arsyeja e ndaljes së procedurave është se Brad ka lënë prapa problemet për të cilat kishte folur në një intervistë për revistën e njohur “GQ”.

Një shoqe e Joliet ka thënë për revistën “Us Weekly” se aktorja më parë ishte shprehur e gatshme për bashkim me Bradin nëse “ai tregon se është i gatshëm të rris familjen”.

Ky burim ka shtuar se Brad është kthjellur dhe ka provuar ta rikthejë lidhjen me Jolien.

“Të gjithë mendojnë se ata do të bashkohen”, ka thënë një tjetër burim.