Pas veprimeve të fundit të Serbisë dhe deklaratave kërcënuese të drejtuesve të shtetit, fshihet oreksi i shtetit fqinj për ta kthyer ndikimin mbi politikën e Maqedonisë. Kështu vlerëson ish ministri i jashtëm, Denko Maleski, sipas të cilit në politikën e jashtme Maqedonia reflekton paqen e brendshme, ashtu që domosdoshmërisht do ta mbështesë Kosovën për shkak të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Maqedoni.

Në dukje është një tentim për ndikim, respektivisht për rikthimin e ndikimit mbi politikën e Maqedonisë. Mbi shtetin tonë kryqëzohen interesa të ndryshme të fuqive të mëdha, të vendeve rreth nesh. Tradicionalisht ka qenë kështu. Edhepse këtë herë kemi një alternativë fenomenale para nesh dhe ky është integrimi euro-atlantik, anëtarësimi në NATO dhe BE, të cilat mund ta zvogëlojnë presionin e vendeve fqinje, që sot është Serbia e nesër mund të jetë ndonjë nga shtetet tjera fqinje- deklaroi Denko Maleski, ish ministër i Jashtëm.

Ish diplomati Risto Nikovski vlerëson se qëndrimi i Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është thjeshtë një “maskë” e veprimeve të fundit të Serbisë. Sipas bëhet fjalë për projekt të rrezikshëm për Maqedoninë.

Në pyetje është ridefinimi, ose përfundimi i procesit pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në këtë aspekt Serbia dëshiron të luajë rol më të theksuar. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Maqedonia është gjunjëzuar. Të gjithë e dimë se para një kohe kishte takim tre-palësh në Selanik midis Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë i cili tërësisht i dedikohej Maqedonisë: çfarë pritet, çfarë do të ndodhë në Maqedoni dhe kush çfarë roli do të ketë- deklaroi Risto Nikovski, ish diplomat.

Sipas Nikovskit, tërheqja e personelit nga ambasada e Serbisë në Shkup nuk është praktikë e dy fqinjëve që deri vonë kanë ruajtur raportet e mira dhe kjo sipas tij nënkupton ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike./alsat-m