Seancat e përbashkëta që Qeveria e Maqedonisë do t’i mbajë me Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Serbisë janë një hap pozitiv, vlerësojnë analistët. Sipas analistit, Alajdin Demiri seancat e përbashkëta qeveritare do t’i relaksojnë marrëdhëniet mes shteteve dhe njëherit janë në dobi të strategjisë evropiane të gjithë rajonit.

Ky detyrim në mes fqinjëve është i rëndësishëm aq më tepër se bisedohet për gjëra pragmatike, për gjëra konkrete të infrastrukturës, të kulturës, të arsimit dhe të teknologjive. Mirëpo nga ana tjetër ky është edhe një suport i madh për Bashkimin Evropian për arsye se Bashkimi Evropian insiston në këtë, posaçërisht këtë të Serbisë, që shumë shpejtë duhet të mbahet edhe me Kosovën. Këto marrëdhënie kanë një raport substancial, ose raport strategjik. Gjithsesi se këtu fiton rajoni- deklaroi analisti politik Alajdin Demiri.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndër-etnike ndër tjerash vlerëson se në rastin tonë, ky ndryshim në politikën e jashtme drejtpërsëdrejti do të ndikojë në marrëdhëniet e brendshme ndër-etnike.

Ky është një hap para drejt bashkëpunimit të shteteve dhe drejt bashkëpunimit të qytetarëve. Nëse pak shohim në histori, por edhe tani në këtë kohë ne kemi shumë çështje të përbashkëta me të gjithë fqinjët: kemi miq të përbashkët, kemi martesa të përbashkëta, kemi martesa të përziera, kemi një histori të përbashkët në Ballkan. Ashtu që, vlerësoj se cilido që do të përpiqet ta ndalojë këtë bashkëpunim do t’i bëj dëm të madh shtetit të vetë.  Me këtë qasje të Qeverisë, mendoj se marrëdhëniet ndër-etnike edhe më shumë do të forcohen dhe përmirësohen në Republikën e Maqedonisë. Dhe kjo iu nevojitet më së shumti qytetarëve- deklaroi Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndër-etnike, Shkup.

Javë më parë dy shefat e diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe Ditmir Bushati njoftuar mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare të të dy vendeve në vjeshtë në Pogradec kurse një ditë më parë u paralajmërua seancë e ngjashme mes Maqedonisë dhe Serbisë që mund të mbahet në nëntor. Edhe në të kaluarën Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur seanca të përbashkëta me Qeverinë e Serbisë, por është hera e parë që do të mbahet seancë e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë. Më parë poashtu ka pasur mini-seancë të përbashkët edhe me Qeverinë e Bullgarisë, por nuk dihet nëse pas nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë do të rivendoset kjo praktikë. As nuk dihet nëse seancë të ngjashme do të ketë pasi të formohet Qeveria e re e Kosovës apo me Qeverinë e Greqisë, pavarësisht klimës drejt përmirësimit të marrëdhënieve me këtë të fundit./alsat-m