Alesia Bami është një nga modelet e bukura, e cila gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e mediave duke pasur për të shumëllojshmëri lajmesh. Por sa të vërteta janë për të? Apo sa të rëndësishme janë për të? Qysh e vogël pjesë e televizionit dhe sigurisht qysh e vogël pjesë e modelingut, Alesia është një nga vajzat dhe modelet shqiptare që krahasohet me Monica Belluçin. Fituesja e “Mis Fotozhenia” dhe “Mis Universe” vjen në këtë rrëfim për gazetën Shekulli, me të përditshmen e saj, pushimet në Antalya me familjen, roli i saj në modeling dhe e ardhmja e saj në film apo televizion. Ajo pohon se aktrimi është një nga ëndrrat që do të bënte të largohej nga bota e modelingut.

Alesia si ju gjeti fundi i muajit gusht?

Po kaloj super. Kam qenë me familjen time në Antalya dhe ishin nga pushimet më të bukura që kam kaluar.

Jeni një nga emrat më të lakuar në media,  sidomos atë online, si ndjeheni kur e shihni veten gjithandej?

Nuk më bën më përshtypje fakti që jam në media dhe përflitem. Më vjen mirë për ata gazetarë që më kontaktojnë dhe shkruajnë të vërtetën. Ashtu siç më vjen keq për ato media mjerane që sajojnë lajme të papavërteta për mua. Një lajm të sajuar për klikime e shikon copy paste në të gjitha portalet dhe kjo është fatkeqësi.

Jeni ende në moshë të re por jeni mjaft e njohur… si erdhi kjo njohje e juaja dhe a e kishit dëshiruar më herët?

Jam marrë me balet që në moshën 6-vjeçare dhe puna ime ka qenë e lidhur me mediat. Pata fatin që u përzgjodha nga një juri profesioniste e të “Dielës shqiptare” për të qenë pjesë e këtij programi. Ky spektakël më bëri shumë të njohur dhe u jam mirënjohëse njerëzve me të cilët kam punuar dhe kanë qenë mentorët e mi.

Ju ndihmon apo ju pengon ky fakt?

Sigurisht që më ka ndihmuar, por jam përpjekur të jem gjithmonë me këmbë në tokë për të ecur para me hapa të sigurtë.

Në këtë periudhë,  cila ka qenë përvoja më interesante si modele?

Vetë puna si modele është një eksperiencë shumë e veçantë dhe e dua punën që bëj.

Po vështirësia më e madhe që keni hasur?

Sigurisht që ka vështirësi sepse jetojmë në një ambient mbytës dhe thashethemesh, por falë mbështjetjes së familjes time ja kam dalë gjithmonë. Ata janë suporti im më i madh.

A ka trokitur dashuria tek Alesia? Cili është fatlumi?

Falënderoj Zotin jam e rrethuar me shumë dashuri. Dhe kështu ka qenë që kur kam lindur. Dashuria ime janë njerëzit që më rrethojnë, familja dhe miqtë e mi nuk ka ende asnjë “fatlum”.

Përse nuk ju pëlqen të pozoni nudo?

As më ka shkuar në mendje të pozoj nudo.

Për çfarë arsye mund të hiqje dorë nga modelingu?

Nga modelingu do të heq dorë vetëm për aktrimin.

Cili ka qenë komenti më i çuditshëm që keni dëgjuar për veten?

Ka shumë komente të çuditshme që i krijojnë njerëz të sëmurë. Sigurisht që janë të gjitha legjenda urbane…

A ndihet e gjykuar një modele nëse në një moment vendos të ndryshojë fushë profesionale?

Unë vazhdoj të jem modele dhe nuk kam ndryshuar ende profesion. Nëse do ndryshoj do u tregoj dhe ju.

Ju synoni televizionin, për çfarë arsye?

Televizioni më pëlqen dhe një ditë e shoh veten pjesë të ekranit. Kam disa projekte, shpresoj që t’i realizoj. Ndonjëherë gjithçka është edhe fat. Duhet të jesh në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Cilat janë projektet tuaja?

Siç ju thashë kam shumë projekte, shpresoj të realizoj sa më shumë prej tyre në mënyrë që njerëzit të shikojnë anën tjetër timen, të cilën ende nuk e njohin. Faleminderit!